“Followersat e mjerimit – Republika e Like-ve dhe e Anti-vlerës”
Na ka kapluar një epidemi e re, më tinëzare se çdo virus: epidemia e ‘followersave’. Dikur njerëzit garonin për të pasur mbështetje në ide, respekt për dije, besim për karakter. Sot, të gjitha këto janë zëvendësuar nga numri i “like”-ve dhe “share”-ve, nga filtrat e Instagramit dhe nga cinizmi i një shoqërie që mat liderin me “reach-in” e story-t dhe jo me peshën e mendimit apo integritetin moral.
Pushteti sot është kthyer në një skenë mode digjitale, ku ministrat, deputetët dhe kryetarët tanë nuk garojnë për ide, por për influencë virtuale. “Influencer” me pagesë nga buxheti i shtetit, që ulen nëpër studio televizive si kukulla prej porcelani, e postojnë çdo lëvizje të tyre sikur të ishin supermodele në pasarelën e modës dhe jo përfaqësues të një populli të varfër që pret punë, shërbime, drejtësi.
Në Shqipëri, pushteti nuk matet më me vota reale, por me një algoritëm. Dhe administrata publike – ajo që duhet të jetë shërbyese e qytetarit – është kthyer në një ushtri klikuese, që me urdhër partie detyrohet të ndjekë, të pëlqejë, të komentojë e të shpërndajë çdo rrotullim të syrit të ministres, çdo pozim të vetullave të ndonjë drejtori, e madje edhe qesënditjen boshe të ndonjë pseudopatrioti që bën “TikTok” me flamur në sfond dhe me rroga të dyshimta në bankë.
Turp. Dhe vetëm turp.
Turp për atë punonjës bashkie që i ndjek me zell në rrjetet sociale “shefat” e tij, por nuk hap dot gojën kur i afrohet një qytetar që kërkon ndihmë.
Turp për atë politikan që poston foto me fëmijë të varfër për të marrë zemra blu, ndërkohë që firmos koncesione për miliarda.
Turp për ata që zbresin tek rinia vetëm për të bërë video për YouTube, e që nuk kanë shkruar asnjëherë një plan real për arsimin, për sportin, për kulturën, për punësimin.
Kombi që dikur frymëzonte Perëndimin me qëndresën e tij, sot frymëzon rrjetet sociale me tallava dixhitale.
Rinia shqiptare, në vend që të kërkojë dije, po ndjek “shembujt” që e kanë bërë pasurinë pa punë, karrierën pa meritë dhe famën pa dinjitet.
Në vend që të mësojnë, sakrifikojnë, ndërtojnë – po përpiqen të kopjojnë jetën e atyre që ia dolën me krim, drogë, servilizëm apo pazare politike.
Në vend që të kultivojnë mendjen, po filtrojnë fytyrën. Në vend që të ngrenë pyetje, po bëjnë selfie.
Kjo është Republika e followersave, ku vendimmarrja është kthyer në një reality show, dhe politika në një “influencë” me pagesë.
Po humbasim identitetin tonë, karakterin tonë, atë moral që na mbante komb, edhe kur ishim të varfër, të izoluar, por kurrë të përulur përballë antivlerës. Dikur visheshim thjeshtë, por mendonim thellë. Sot vishemi shtrenjtë, por s’mund të shquajmë dot as dallimin mes mashtruesit dhe vizionarit.
Nëse nuk reagojmë sot, nesër s’do të kemi më as fjalor për të shpjeguar se çfarë ishte dikur Shqipëria. Sepse gjithçka do të jetë ‘story’, që zhduket brenda 24 orësh – si kujtesa e një kombi që harroi veten për të ndjekur një ëndërr të rreme.